17:58 / E Enjte, 01 Tetor 2020 / indeksADMonline

Pamje ekskluzive nga aksioni i sotëm i policisë dhe IPK-së, në zonën e Karaçevës

Aksionet kundër veprimtarive të paligjshme nuk po ndalen, ku një i tillë u zhvillua edhe sot në disa rajone të Kosovës.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe agjencitë e tjera bashkëpunuese, kanë ekzekutuar urdhërkontrolle në rajone të ndryshme të Kosovës.

Ky aksion është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar, më 18 shtator 2020, në zonën e Karaçevës dhe rajone të tjera të Kosovës, për shkak të dyshimit të përfshirjes në veprimtari kriminale.

Ekipi i Indeksonline e ka përcjellë nga afër këtë aksion, ndërsa tani iu sjell edhe pamje ekskluzive.

Kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku ka njoftuar se janë arrestuar 22 persona, teksa ka shkuar në 59 numri i të arrestuarve që lidhen me rastin “Karaçeva”.

Maloku bëri të ditur se janë kryer urdhër kontrolle në shtatë qytete të Kosovës.

“Është zhvilluar një operacion në tërë territorin e Kosovës, konkretisht Ferizajit, Prizrenit, Gjilanit, Pejës, Suharekës, Podujevës dhe Vitisë. Ky ka qenë vazhdimësi i operacionit në Karaçevë dhe rajoneve tjera. Janë ndaluar 22 persona për 48 orë, që dyshohen për aktivitete kriminale. Ndaj tyre brenda afatit ligjor do kërkohen masat për sigurimin e pandehurve nga Gjykata në Gjilan. Gjithsej numri i personale të ndaluar që nga fillimi aksionit janë 59 të dyshuar”, tha ai.