Pamje nga aksioni në Brezovicë, ku u sekuestruan rreth 100 objekte përkohësisht

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit sot në Brezovicë janë sekuestruar përkohësisht rreth 100 objekte ndërtimore.
Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizaj, Rasim Maloku ka thënë se disa nga këto objekte të sekuestruara janë në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e qytetarëve të tjerë.

Këto objekte janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën nga të pendehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka, sipas prokurorisë, kanë degraduar mjedisin në këtë zonë.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe raporteve nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm të objekteve të ndërtuara në Brezovicë – Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”, nga këto raporte vërtetohet se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin dërguar medieve.
Indeksonline ka raportuar nga orët e mëngjesit përkitazi me aksionin e sotëm.