Pamje nga djegia e trafostacionit në Mitrovicë
Trafostacioni kryesor në Mitrovicë është përfshirë nga flakët ditën e sotme, duke lënë kështu qytetin e Mitrovicës pa energji elektrike.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala i cili ka theksuar se kjo trafo është djegur brenda objektit të Trepçës.
“Sot rreth orës 12:00 ka filluar të digjet një trafo brenda objektit të Trepçës, që është edhe në pronësi të kësaj ndërmarrje. Të njëjtën kohë është këputur linja 110 kV e KOSTT-it në Mitrovicë. Kjo ka bërë që Mitrovica të jetë pa energji elektrike” ka theksuar ai.
Sipas tij, tashmë ekipet përgjegjëse të KEDS-it kanë dal në vendin e ngjarjes.

“KEDS ka dërguar menjëherë ekipet në vendin e ngjarjes, për ku është nisur edhe menaxhimet nga Prishtina për t’u dal në ndihmë këtyre ndërmarrjeve që të tejkalohet sa më shpejtë kjo situatë.|
Buzhala ka thënë se një pjesë e qytetit, rreth 2/3 iu është rikthyer energjia elektrike, duke e kaluar furnizimin nga linjat që vijnë nga Vushtrria.
“KEDS ka arritur të rikthejë energjinë elektrike për rreth 2/3 e konsumatorëve të Mitrovicës, duke e kaluar furnizimin nga linjat që vijnë nga Vushtrria, ndërsa nuk ka alternativë për konsumatorët që furnizohen nga Trepça dhe linja e KOSTT-it në Shupkofc, përkatësisht një pjesë e Mitrovicës dhe fshatrat afër, nga Mitrovica në drejtim të Vushtrrisë” ka përfunduar ai.

Ndryshe, sipas informacioneve të siguruara nga Indeksonline brenda minierave të Trepçës dyshohet se kanë mbetur disa minatorë./Indeksonline/
