21:53 / E Shtunë, 27 Nëntor 2021 / OSH

Pamje nga Gllogjani: Njësia Speciale vazhdon kërkimin e të dyshuarin për vrasjen e trefishtë

Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës po vazhdon të kërkojë në Gllogjan e rrethinë, autorin e vrasjes së trefishtë që ndodhi mbrëmë.

IndeksOnline ka siguruar pamjet ku pjesëtarët e Njësisë Speciale kërkojnë në çdo cep për gjurmë të të dyshuarit.

Deri më tani, krejt çka dihet është që po hetohet në tri pista të ndryshme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka bërë thirrje dorasit të vrasjes makabre në Gllogjan të dorëzohet në Polici.

Ai kërkoi nga qytetarët që nëse kanë ndonjë informatë lidhje me rastin të bashkëpunojnë me institucionet relevante, që të zbardhin rastin sa më shpejt.

“Si në konferencë për media, ashtu edhe këtu, i bëj thirrje dorasit të krimit që të dorëzohet. Nëse ka pasur bashkëpunëtorë, u bëj thirrje po ashtu të lajmërojnë e të dorëzohen në Polici. Në të kundërtën, kushdo që ndihmon vrasësin, bëhet bashkëkryes i veprës”, shkroi Sveçla në Facebook./IndeksOnline/