23:14 / E Premte, 08 Shtator 2023 / Gj. Sh

Pamje nga momenti kur Kosova u shpall fituese për organizimin e Lojërave Mesdhetare

Kosova ka fituar të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030 – “Prishtina 2030”.

Kështu vendosi sot Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), që u mbajt në Heraklion të Greqisë.

Nga 66 delegatë sa ishin të pranishëm, 55 votuan pro Kosovës, tetë kundër dhe tre abstenuan.

Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare ka publikuar një video nga momenti kur Kosova u shpall fituese për organizimin e LM të vitit 2030, me Prishtinën nikoqire.

“Qyteti pritës i Lojërave të 21-të Mesdhetare 2030 do të jetë Prishtina pas një procesi votimi në Asamblenë e Përgjithshme të ICMG-së. Kryeqyteti i Kosovës mori 55 nga 66 vota”, shkroi ICMG.