75 Mall Live Search
21:25 / E Enjte, 17 Korrik 2025 / H F

Pamje nga operacioni i arrestimit të policit serb, dyshohet që spiunoi për BIA-n

Një operacion i rrallë spiunazhi u zhvillua këtë të enjte, më 17 korrik, në Kosovë.

Objektiv i këtij operacioni ishte një zyrtar i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq ,cili dyshohet për rrjedhje të informacioneve të ndjeshme te shërbimet sekrete të shtetit serb.

Televizioni Dukagjini ka publikuar pamje nga arrestimi i tij dhe operacioni i sotëm i Inspektoratit Policor të Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë Speciale.

Krejt çka ndodhi në këtë operacion

E dyshimet janë të forta, se ai bashkëpunoi me BIA-n serbe duke shpërndarë informacione konfidenciale me ta.

“Janë dyshime të bazuara, janë dyshime të provuara nga ana e IPK-së në bashkëpunim me AKI-në ku i kemi faktu dyshimet tona lidhur me veprën penale “spiunazhi””, ka thënë drejtori i hetimeve në IPK, Bardhyl Haxhimustafa.

Dhe gjithçka shkoi sipas planit, kur ai kishte marr rrugën për tu nisur në punë, në pritë i dolën hetuesit e iu kumtua arsyeja e prangosjes.

Urdhri i Prokurorisë është që menjëherë pas ndalimit, hetuesit të nisën për bastisje.

Në shtëpinë e të dyshuarit për spiunazh hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës aktualisht po kryejnë bastisje.

Bastisja disa orëshe në shtëpinë e Bojan Jetviqit nuk i la duarthatë hetuesit e forenzikën e Policisë së Kosovës.

Aty janë gjetur disa dokumente, që organet e drejtësisë besojnë se janë prova konkrete për bashkëpunimin e zyrtarit policor serb me BIA-n.

Gjithashtu, është konfiskuar edhe një armë e padeklaruar dhe mijëra para të gatshme.

Pas kësaj bastisjeje, radhën e ka zyra e të dyshuarit tek pika kufitare, Dheu i Bardhë.

Që në bazë të planit është pika e dytë që po bastiset, merren veprime edhe për suspendimin e tij.

“Është informuar Shefi i Operativës së Drejtorisë rajonale të Policisë kufitare i cili e ka përfunduar suspendimin e zyrtarit policor për 72 orë apo tre ditë pune. Do të bëhet rekomandimi tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe vazhdon suspendimi i zyrtarit deri në përfundim të hetimit”, ka thënë Haxhimustafa, drejtor i hetimeve në IPK.

Pas kësaj bastisjeje, ekipet nisen drejt objektit të Inspektoratit Policor të Kosovës, ku Bojan Jetviq, që është pjesë e Policisë së Kosovës qe 23 vjet, do të merret në pyetje.

Operacioni që përfundoi me sukses, siç u planifikua, nuk do të ishte i mundur pa një bashkëpunim të kahershëm të institucioneve të vendit.

Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj këtë bashkëpunim po e vlerëson jetik.

“Fillimisht informacionet kanë ardh nga AKI-ja dhe janë përpunuar pastaj në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, kemi arrit që të krijojmë dyshimin e arsyeshëm dhe të bazuar për të realizuar këto veprime sot dhe besoj që është një shembull i mirë që ku institucionet e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë në këtë nivel edhe rezultatet janë të tilla”, ka thënë Hodaj.

Bojan Jetviq kishte bartur gradën e togerit në Policinë e Kosovës dhe kryesisht aktivitetin e tij profesional e ka në zonën e Anamoravës, ndërsa jeton në një fshat të Komunës së Kamenicës.

Detaje për aksionin ka dhënë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës, që treguan se gjatë bastisjeve, janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore./TV Dukagjni/