11:32 / E Martë, 27 Korrik 2021 / AR

Pamje të autobusit të aksidentuar ku humbën jetën 10 bashkatdhetar

Dy ditë pas aksidentit të tmerrshëm në Slavonski Brod, janë publikuar pamjet e autobusit të Deva Tours, ku mbetën të vdekur 10 njerëz e mbi 40 të tjerë u lënduan.

Portali kroat 24sata [24 orë] ka publikuar fotografi të autobusit në fjalë, dhe i cili nuk duket dhe aq i dëmtuar marrë parasysh dëmet tmerruese në jetë njerëzish që i shkaktoi.

Ndërkohë, shoferit të autobusit të kompanisë “Deva Tours” nga Gjakova, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin në Sllavonski Brod të dielën, i është caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata e Qarkut në këtë qytet.

Shoferi 52-vjeçar që po drejtonte autobusin ku mbetën të vdekur, 10 pasagjerë, mbrojti veten në heshtje gjatë marrjes në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit të Qarkut në Slavonski Brod.

Sot gjatë ditës u bë e ditur se një nga të lënduarit e aksidentit tragjik në Kroaci është në gjendje më të rëndë shëndetësore, dhe 15 të tjerë janë duke u trajtuar në spital.