Pamjet e bunkerit të Zelenskyt publikohen për herë të parë
Pamjet e bunkerit sekret të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky janë bërë publike për herë të parë, nga vet lideri, në fjalimin e tij drejtuar popullit, në shënimin e përvjetorit të katërt të pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia.
Në video shfaqet një korridor i gjatë pa dritare dhe me një tabelë, ku shkruan: “Zyra e presidentit të Ukrainës”.
Më pas, shihet një ikonë ortodokse në një mur me një përshkrim të simbolit kombëtar ukrainas, transmeton Klankosova.tv
“Kjo zyrë, ky vend i vogël në bunkerin në rrugën “Bankova” është vendi ku zhvillova bisedat e mia të para me udhëheqësit botërorë në fillim të luftës. Këtu fola me presidentin Biden dhe pikërisht këtu dëgjova: Volodymyr, ka një kërcënim. Duhet të largohesh urgjentisht nga Ukraina. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë me këtë. Dhe këtu u përgjigja se më duhen municione, jo një makinë”, tha Zelensky.
Rruga “Bankova” ndodhet në mes të lagjes qeveritare në Kiev dhe ka qenë vendi i zyrave presidenciale që nga pavarësia në vitin 1991.

