16:05 / E Shtunë, 05 Maj 2018 / indeksADMonline

Panairi i Punës, shpresë për punësimin e të rinjve

Shumë të rinj kosovarë, me përgatitje të ndryshme shkollore, janë të interesuar për t’u punësuar në kompani të ndryshme brenda apo edhe jashtë vendit.

Ky interesim vërehej edhe në Panairin e Punës, që u mbajt në Prishtinë. Punëkërkuesit, kryesisht të moshës së re, thonë se, pavarësisht konkurrencës së madhe, shpresojmë të gjejmë një vend pune.

Udhëheqësi i një kompanie për ndërtimin e shtëpive nga druri, që vepron në Gjermani, Ukë Blakaj, tha për televizionin publik se në kompaninë e tij aktualisht janë 26 punëtorë, që janë përzgjedhur nga panairi i vitit të kaluar. “Këtë vit prapë jemi pjesë e panairit dhe presim që ta rrisim numrin e punëtorëve”, theksoi Blakaj.

“Kompania jonë vepron në Gjermani, merret me ndërtimin e shtëpive të drurit, të cilat prodhohen nëpër fabrika. Kemi marrë pjesë edhe në panairin e vitit të kaluar, ku kemi bërë disa kontrata. 26 punëtorë i kemi marrë vitin e kaluar dhe kemi nevojë edhe për më shumë të tjerë, sepse volumi i punës në kompaninë tonë është shtuar.”, theksoi Ukë Blakaj, afarist.

Në mesin e shumë të interesuarve për të gjetur një vend punë janë edhe Gonxhe Latifi dhe Albulena Haxha, thanë se shpresojnë që pasi të kenë përfunduar studimet, do të punësohen. Albulena shpreson se do të ftohet nga ndonjë kompani e huaj.

“Nga ky panair presim që shumë shpejt të punësohemi, pasi që, si të rinj, kemi nevojë për punë, pasi që, siç dihet, shumica e të rinjve kanë mbetur pa punë dhe mendojmë se jashtë vendit vlerësohet dija me shumë se gjithçka tjetër.”, theksuan ato.

Panairi i Punës organizohet që disa vite me radhë dhe vlerësohet si ngjarje e rëndësishme, ngase ua mundëson të rinjve që të fitojnë vende pune, bursa për studime jashtë vendit, si dhe iu hap rrugë për të shpalosur njohuritë e tyre që kanë fituar në fusha të ndryshme.