10:34 / E Martë, 01 Shtator 2020 / indeksADMonline

Pandemia shkaktoi rënie të thellë ekonomike, në Evropë

Ndikimet e pandemisë Covid1-19 në ekonomi po bëhen gjithnjë e më e qarta. Sidomos Italia është goditur rëndë.

Në Itali kanë vdekur deri tani më shumë se 35.500 veta të infektuar me koronavirusin. Përveç kësaj ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës pas Gjermanisë dhe Francës pret një recesion të rëndë këtë vit për shkak të kufizimeve masive në luftën kundër pandemisë.

Siç njoftoi Zyra kombëtare e statistikave vetëm në tremujorin e dytë midis prillit dhe qershorit, prodhimi i brendshëm bruto i Italisë (PBB) u tkurr me një shpejtësi rekord prej 12.8 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Deri tani supozohej se minusi do të ishte 12.4 për qind. Pandemia e goditi Italinë shumë më rëndë sesa ekonominë gjermane, e cila ra me 9.7 për qind.

Komisioni i BE-së supozon që ekonomia e Italisë të shënojë për vitin në tërësi një rënie prej 11.2 për qind. Parashikimi zyrtar i Qeverisë në Romë është një minus prej tetë për qind. Por ministri i Ekonomisë Roberto Gualtieri tashmë ka treguar se ky vlerësim duhet të korrigjohet dhe se rënia është më e madhe. Megjithatë Gualtieri theksoi kohët e fundit gjithashtu se tremujori i tretë aktual pritet të sjellë një rritje të fortë.

Ekonomia e Polonisë po tkurret

Edhe në Poloni ekonomia ka rënë për shkak të krizës nga korona. Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) u tkurr në tremujorin e dytë me 8.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo u njoftua nga agjencia e statistikave GUS në Varshavë. Në tremujorin e parë ekonomia polake u rrit me dy për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019.

Spanja shpreson te tremujori i tretë

Prodhimi i brendshëm bruto i Spanjës pësoi një rënie rekord prej 18.5 përqind në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sipas qeverisë spanjolle ekonomia tani po bën hapa të mëdha drejt rimëkëmbjes. Në tremujorin e tretë vërehet një rritje e prodhimit të brendshëm bruto prej më shumë se dhjetë për qind, tha Ministrja e Ekonomisë, Nadia Calvino.

Një rikuperim i fortë duket veçanërisht në tregun e punës. Gjatë krizës së Covidit-19 papunësia e lartë në Spanjë u rrit në mënyrë masive. Midis prillit dhe qershorit humbën punën një milion veta – më shumë se kurrë më parë në një tremujor. Sidomos sektori i turizmit, i cili është i rëndësishëm për vendin, u godit rëndë nga kriza./DW/