21:39 / E Martë, 11 Maj 2021 / AR

Pandemia, Shpat Kasapi: Keq ata që humbën jetën, për muzikë asnjëherë s’është vonë

Shpat Kasapi është këngëtar dhe autor i shumë këngëve.

Karrierën në muzikë e ka nisur qysh në moshë të re duke u shpërblyer me çmime të shumta në festivalet që merrte pjesë, shkruan Indeksonline.

Me punën e tij të palodhshme ai ka arritur të bëjë për vete fansa të shumtë, në çdo vend ku ka shqiptar.

Ka kaluar më shumë se një vit që jemi në kohë pandemie, por këngëtari as gjatë kësaj periudhe nuk ka lenë anash punën e tij.

Ai ka sjellë hite të mëdha me të cilat ka arritur t’i argëtoj fansat edhe gjatë kësaj periudhe.

Në një intervistë për Indeksonline, këngëtari rrëfeu se viti që lam pas ishte një vit armik për të gjithë.

“Viti 2020 ishte një vit , JO si të tjerët duke pas parasysh epideminë dhe humbje të shumë njerëzve , një armik i padukshëm për të gjithë ishte fatkeqësi e madhe qe ishalla kalon se shpejti”, u shpreh ai.

Periudha e pandemisë ka ndikuar tek të gjithë, edhe në industrinë muzikore. Por më rëndë e kanë pasur ata që kanë humbur jetën fatkeqësisht, sepse për muzikë nuk është vonë asnjëherë.

“Pandemia ka ndikuar shumë keq në industrinë muzikore por më keq tek ata që humbën jetën fatkeqësisht , sepse për muzikë s’është vonë asnjëherë ! Rëndësi ka të ruajmë shëndetin dhe të jemi të durueshëm !”.

Aktivitetin e tij në muzikë këngëtari e ka realizuar bazuar në masat që janë marrë, duke mos shkelur rregullat.

“Po, unë kam mbajtur dy mbrëmje nga muaji mars, sepse vetëm aq u lejuan të punojnë në disa klube dhe bare”.

Fansat janë ata që gjithmonë kërkojnë ta kenë prezentë në koncerte dhe ahengje të ndryshme, por kjo gjë për një vit ishte e ndaluar. Ai ka marrë mesazhe të shumta duke ia shprehur mallin për ndaljen e koncerteve.

“I lexoj shpesh komentet dhe ndonjëherë kontaktoj me fansat dhe e shoh qe i ka marr malli për pjesëmarrjen time ne koncerte dhe mbrëmje , normalisht qe janë të çmallur te kërcejnë e mallëngjehen me këngët e mia!”.

Këtë vit ai do të sjellë këngë të reja, dhe projekti i tij do të lansohet së shpejti. Kësaj radhe nuk do të ketë bashkëpunim, por këngët do të jenë solo.

“ Po do sjell , projekti është ne përgatitje dhe duhet të publikohet në fillim qershorit video klipi. Nuk do të ketë bashkëpunime, nuk kam plan por këngë që do ti këndoj vet po ! Besoj do jenë të kënaqur dëgjuesit !”, tha këngëtari.

Duke qenë një zë i talentuar, ai është edhe i kërkuar nga publiku për dasma dhe mbrëmje të shumta. Ai tregoi se edhe për këtë vit ka shumë rezervime, sidomos për dasma.

“Kam rezervime shumë sidomos dasma dhe ato qe i kam te rezervuara dhe konfirmuara do realizohen”, tha këngëtari./Indeksonline/