Papa Françesku viziton Shkupin më 7 maj, konfirmon Vatikani
Zyra për shtyp pranë Selis së Shenjtë në Vatikan, sot e publikoi programin për vizitën e parë të Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut.
Është parashikuar që Papa të arrijë në Shkup, në vendlindjen e Nënës Terezë, më 7 maj në mëngjes.
Pas pritjes zyrtare, Papa Françesku do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov, me kryeministrin Zoran Zaev, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe korin diplomatik.
Gjatë qëndrimit në vend, Ati i Shenjtë do të takohet edhe me liderët fetarë dhe me persona të skamur, kumtoi pres-shërbimi qeveritar.
Në programin për udhëtim apostolik të Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut është parashikuar të shërbehet një liturgji, ndërsa pastaj ai do të marrë pjesë në takim ndërfetar me të rinjtë.
Papa Françesku udhëtimin e tij të 29-të apostolik do ta përfundojë në orët e pasdites më 7 maj, me takim me klerikë dhe familjet e tyre, pas çka do të kthehet në Romë.
Paraprakisht, kreu i Kishës katolike të Romës do të qëndrojnë në Republikën e Bullgarisë, ku do t’i vizitojë qytetet e Sofjes dhe Rakovskit.