Papa Leoni kërkon t’i jepet fund tmerrit të luftës në Ukrainë
Papa Leoni XIV zhvilloi një takim në Vatikan me Ipeshkvin Vitalii Kryvytskyi të Dioqezës Kyiv-Zhytomyr të Kishës Katolike Romake në Ukrainë dhe anëtar i Këshillit të Gjithëukrainas të Kishave dhe Organizatave Fetare (AUCCRO).
Papa Leoni siguroi se do të vazhdojë të lutet për Ukrainën dhe të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të ndihmuar në ndërprerjen sa më shpejt të tmerrit të luftës.
Sipas mediave ukrainase, Ipeshkvi Kryvytskyi e shkroi nw Facebook mbi detajet e takimit.
“Ishte një takim shumë i ngrohtë dhe frymëzues me Atin e Shenjtë Leoni XIV. Folëm për Ukrainën, luftën dhe rrugën drejt një paqeje të drejtë. Papa është i informuar mirë për situatën tonë, thellësisht i shqetësuar për atw qw po kalon Ukraina dhe po kërkon aktivisht mënyra për ta zgjidhur,” thuhet në postimin e tij.
Gjatë audiencës, Ipeshkvi Kryvytskyi i kujtoi Papës ftesën e dërguar nga AUCCRO për të vizituar Ukrainën.
“ E falënderova Papën për lutjet e tij, si personale ashtu edhe ato që inkurajon të gjithë Kishën. I kërkova të vazhdojë të lutet për Ukrainën dhe të nxisë të tjerët ta bëjnë këtë, teksa i afrohemi një dimri të vështirë,” tha ipeshkvi.

