75 Mall Live Search
12:23 / E Premte, 09 Maj 2025 / k.v

Papa Leoni kremton meshën e parë si Papë: Të jemi dritë në netët e errëta të botës

Papa Leoni XIV ka kremtuar meshën e tij të parë si udhëheqës i Kishës Katolike, në një shërbesë solemne të zhvilluar në Kapelën Sistine. Ceremonia nisi me një lutje për pranimin e mëkateve dhe kërkimin e faljeve drejtuar Zotit, të udhëhequr nga vetë Papa. Kongregacioni iu bashkua atij me këngë dhe pjesëmarrje aktive në liturgji.

Gjatë fjalimit të tij drejtuar Kardinalëve, Papa theksoi rëndësinë e angazhimit të Kishës në mjedise ku besimi është në rënie. “Edhe sot, ka shumë ambiente në të cilat besimi i krishterë konsiderohet absurd, i menduar për të dobëtit dhe të painteligjentët,” u shpreh ai.

Papa Leoni XIV e nisi fjalën e tij në anglisht, duke u drejtuar me mirënjohje kardinalëve që e zgjodhën, dhe me bindjen se ata do të ecin përkrah tij në udhëheqjen e Kishës. ]

“E di që mund të mbështetem te secili prej jush që të ecni me mua ndërsa vazhdojmë si Kishë, si bashkësi miqsh të Jezusit, si besimtarë për të shpallur lajmin e mirë, për të shpallur Ungjillin”, tha ai.

Ai nënvizoi se fushat ku mbizotërojnë teknologjia, paraja, suksesi, pushteti apo kënaqësia janë pikërisht ato ku “shtrirja misionare e Kishës është urgjentisht e nevojshme”.

Në vijim të predikimit të tij, këtë herë në latinisht, Papa shprehu dëshirën që zgjedhja e tij si Papë të ndihmojë Kishën të sjellë dritë në “netët e errëta të kësaj bote” dhe u zotua të jetë një “administrator besnik” për të gjithë Kishën Katolike.