Papunësia e lartë në Kosovë mund të shkaktojë pakënaqësi sociale
Agjencia e Statistikave publikoi gjatë ditës së sotme anketën e fuqisë punëtore e cila tregoi se shkalla e papunësisë në Kosovës është rritur.
Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e katërt është 28.8%, që sipas ekonomistëve, papunësia ende nuk është zvogëluar.
Përderisa po flitet për punësime partiake nëpër sektorin publik, sipas ASK-së, shkalla më e theksuar e papunësisë është tek të rinjtë, përkatësisht te grup moshat 15-24 vjeçare.
Sipas ekonomistit, Lulzim Beqiri, kjo ankete shpërfaq edhe njëherë shkallën e papunësisë në vend.
“Anketa e Fuqisë Punëtore për TM4/2018 shpërfaq edhe një here shkallën e lartë të papunësisë në Republikën e Kosovës, sipas hulumtimit të ASK-së ku janë anketuar 3 488 ekonomi familjare, shkalla e papunësisë të nivel vendi është 31.4%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 38.0%, krahasuar me meshkujt, 29.2%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup moshat 15-24 vjeçare me 57.3%. Sipas rezultateve të AFP-së, në TM4 2018, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.0%, me fokus të veçantë te femrat me 79.5 %, krahasuar me meshkujt, 36.1%”, ka thënë Beqiri.
Sipas tij, ende nuk ka ndonjë strategji adekuate që do të mundësonte zvogëlimin e papunësisë.
“Kjo tregon se qeveritë që kanë udhëhequr vendin nuk i kanë kushtuar rëndësi strategjisë për zvogëlim të papunësisë, madje ende nuk ka një strategji adekuate si të ulet papunësia, ekzekutivi i kaluar por edhe i tashmi nuk e ka prioritet uljen e papunësisë, ndarja e buxhetit e vitit 2019 tregon qartë se nuk ka qëllim të ulet papunësia, andaj kemi edhe emigrim enorm si mungesë e perspektivës për jetë më të mirë. Papunësia është një barrë e madhe për të gjithë qytetarët në këtë vend të dalë nga një luftë e përgjakshme, duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik. Siç dihet, ky fenomen shkakton shumë dëme të mëdha, si në aspektin ekonomik, shoqëror, social e politik”, ka thënë ai tutje.
Beqiri thotë se hapi i fundit është hartimi i politikave zhvillimore sa nuk ka pakënaqësi sociale, përndryshe pasojat mund të jenë katastrofale.
“Ryshfeti, lidhjet familjare, lidhjet partiake sipas UNDP-së janë faktori kyç për të siguruar një vend pune në sektorin publik, ky fenomen e ka përcjellë Kosovën që nga paslufta e këtej, asnjë qeveri nuk e ka luftuar këtë të keqe, andaj edhe ka marr përmasa shqetësuese një praktikë e tillë. Janë qindra mijëra konkurse të kurdisura, punësojnë dajallarë, nipa, mbesa, kushërinj, tezakë, por ama shumica pa meritë, thjesht ky fenomen ka shtri rrënje, nuk ke mundësi me u punësua në Kosovë nëse nuk ke dikë, apo nuk jep para, nuk ka institucion në vend që nuk është prek nga ky fenomen çoroditës. Mendoj se është hapi i fundit i ekzekutivit dhe legjislativit të hartojnë politika zhvillimore sa nuk ka një pakënaqësi sociale që pasojat mund të jenë katastrofale”, ka thënë mes të tjerash ai.
Sipas rezultateve të AFP-së, në TM4 2018, shkalla e papunësisë është 31.4%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 38.0%, krahasuar me meshkujt, 29.2%.
Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 57.3%.
Në TM4 2018, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.0%, me fokus të veçantë te femrat me 79.5 %, krahasuar me meshkujt, 36.1%./Indeksonline/