23:51 / E Shtunë, 27 Shkurt 2021 / OSH

Para dhe pas, efektet e sulmit ajror mbi caqet e milicisë siriane – bombat 230 kg shkatërruan gjithçka

Imazhet satelitore të shkrepura para dhe pas sulmit, kanë zbuluar pasojat e shkaktuara nga sulmi ajror i kryer mbi caqet e milicisë siriane të përkrahur nga Irani, që janë kryer me urdhër të presidentit amerikan Joe Biden.

Trupat amerikane kanë hedhur bombat 230 kilogramëshe mbi bazat e milicisë siriane të përkrahura nga Irani – ku humbën jetën 22 luftëtarë të tyre, transmeton Telegrafi.

Imazhet e kapura para shpërthimeve shfaqin një bazë të madhe rreth 500 metra larg kufirit me Irakun – me dhjetëra objekte të ndryshme brenda kësaj baze.

Por pas sulmeve të enjtes, të gjitha ndërtesat janë shkatërruar plotësisht duke e bërë gjithçka rrafsh me tokë. E ky sulm ajror i ushtrisë amerikane, është i pari që është urdhëruar të kryhet nga presidenti i ri Joe Biden.

Kjo bazë në Al Bukamal është përdorur nga këto grupe për të grumbulluar dhe shpërndarë armatim përgjatë kufirit, kanë bërë të ditur zyrtarë të Pentagonit.