75 Mall Live Search
09:53 / E Mërkurë, 18 Shkurt 2026 / MSH1

Para drejtësisë me pranga/ Vazhdon procesi gjyqësor për sulmin në Banjskë

Pak më parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka nisur seanca gjyqësore lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, ndaj të cilëve është veçuar procedura penale, transmeton IndeksOnline.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon gjithsej 44 persona fizikë dhe një person juridik, “RAD D.O.O”, ndërsa listës së të akuzuarve i prin Milan Radojçiq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radojçiqit dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se, përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, kanë tentuar shkëputjen e pjesës veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe bashkimin e saj me Republikën e Serbisë.

Si pasojë e sulmit, ishte vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa ishin plagosur edhe dy zyrtarë të tjerë policorë, duke u rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve dhe e popullatës civile.

Gjatë përleshjeve, ishin vrarë edhe tre sulmues, ndërsa pjesa tjetër ishte larguar pasi ishin strehuar për disa orë në manastirin e Banjskës.

Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë Milan Radojçiq./IndeksOnline/