Paraburgim ndaj të pandehurës në Ferizaj, e shantazhuan një person duke i kërkuar 30 mijë euro

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës S.T. shtetase e Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Shantazh.
E pandehura dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përmes kanosjes se do ta dëmtoj nderin apo autoritetin e personave të afërm të tij, në atë mënyrë që nga i njëjti kërkon shumën e të hollave prej 30.000 €, me arsyetim se kinse do ta liroj nga akuza e dhunimit vëllain e tij S.V. i cili tanimë gjendet në masën e paraburgimit dhe këtë do ta bëj përmes deklarimit të saj me datë 07.12.2020 kur edhe është ftuar nga ana e prokurorisë për të deklaruar në cilësinë e të dëmtuarës, duke i propozuar, që fillimisht të takohen në një lokal në Ferizaj, ku i dëmtuari do t’ia dërgoj paratë e kërkuara, të cilat sipas saj do t’ia mbaj një person i besueshëm për të deri në përfundimin e deklarimit në prokurori.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se e pandehura ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, duke vlerësuar se po të gjendej në liri e njëjta do të mund të asgjësoj, fshehë apo falsifikoj provat materiale, si dhe mund të ndikoj në dëshmitarët, të dëmtuarin, të cilët akoma nuk janë dëgjuar nga ana e prokurorisë, në atë mënyrë që të njëjtit më pas të deklarojnë në favor të mbrojtjes së saj.