Paraburgim për personin që u kap duke vjedh një veturë dhe gjuajti me armë policët
Indeksonline raportoi për rastin, kur një qytetar i cili ishte kapur në flagrancë duke dashur të vjedh një veturë, u zu nga Policia e Kosovës, ndaj pjesëtarëve të të cilës shtiu me armë.

Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.E, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Vrasje në tentativë, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Lëndim i lehtë trupor dhe veprën penale Prezantim i rrejshëm, transmeton Indeksonline.
Sipas njoftimit, të pandehurit A.E iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.E më datë 19.12.2018, rreth orës 00:41 në Prishtinë, kishte tentuar të thyejë vetura me çekan për të cilën kishin njoftuar qytetarët ku në momentin që zyrtarët policor kishin arritur në vendin e ngjarjes dhe kishin urdhëruar që i njëjti të ndalojë, i dyshuari ka filluar të ik me vrap dhe me qëllim që të privojë nga jeta zyrtarët policor të cilët i vihen pas për ndjekje, i pandehuri A.E kishte nxjerrë armën nga brezi dhe kishte shtënë tri herë në drejtim të zyrtarit policor, po ashtu duke mos përfill urdhrat e zyrtarëve policor ka rezistuar gjatë arrestimit të tij me ç’ rast njërit nga zyrtarët policor i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.J është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, ashtu që nëse i pandehuri qëndron në liri do të mund të përsëris veprat e njëjta apo të ngjashme penale, pasi që edhe më herët ka kryer vepër penale.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Indeksonline/