75 Mall Live Search
13:55 / E Enjte, 11 Shkurt 2021 / OSH

Paraburgoset kosovari që hodhi në treg para të falsifikuara

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.K. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: Falsifikimi i parave nga neni 296 paragrafi 2  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe atij i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për krime të rënda – Mustaf Tahiri, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 23 janar 2021, në Shtime ka vënë në qarkullim para të falsifikuara si të vërteta, duke e ditur se janë të falsifikuara, në atë mënyrë që ka pranuar 2.500 dollarë nga një person tani i panjohur, me të cilin janë marrë vesh që t’i këmbejë në euro për një shpërblim prej 100 eurosh, pastaj me këtë person kanë ardhur me veturë deri në Shtime, me ç’rast i pandehuri ka hyrë në lokalin “Aral këmbimore”, e cila gjendet në objektin e pikës së karburantit me të njëjtin emër, ku ka dorëzuar 50 bankënota në vlerë me nga 50 (USD) dollarë amerikan të falsifikuara, për t’i këmbyer në euro, me ç’rast i dëmtuari J.R. i ka dhënë 2037.50 euro, e pastaj është larguar në drejtim të panjohur.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.