Paraqitje fatastike nga futbollistët shqiptarë: Asani dhe Mehmeti shënojnë gol, Ismajli asiston
Viti 2026 ka nisur në mënyrën më të mirë për legjionarët shqiptarë, të cilët kanë spikatur me paraqitje vendimtare në fushë.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, zhvilloi një ndeshje të madhe me Atalantën në fitoren minimale 1-0 ndaj Romës. Mbrojtësi kuqezi ishte i pakalueshëm në prapavijë, duke e shpëtuar disa herë nga goli skuadrën e tij dhe në fund të takimit u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes.
Një paraqitje shumë të mirë zhvilloi edhe qendërmbrojtësi tjetër kuqezi, Ardian Ismajli, i cili aktivizohet në Kampionatin italian me Torinon. Ismajli dha edhe një asist në fitoren 3-0 të Torinos në transfertë ndaj Veronës, duke shërbyer për golin e tretë të shënuar në fundin e takimit nga Njie.
Jasir Asani e nisi vitin e ri me gol, duke gjetur rrugën e rrjetës me penallti në fitoren 2-1 të Esteghlal ndaj kryesuesve të kampionatit iranian, Sepahan. Falë këtij triumfi, diferenca mes Esteghlalit dhe Sepahanit është vetëm 5 pikë, ndërsa për Asanin ky ishte goli i shtatë sezonal në kampionat.
Me gol e nisi vitin e ri edhe Anis Mehmeti, i cili shënoi në fitoren e thellë 5-0 të Bristol Cityt ndaj Portsmouthit.
Me skuadrat e tyre dhanë kontribut edhe disa legjionarë të tjerë, si Ylber Ramadani, Armando Broja dhe Rey Manaj, ndërsa në disa kampionate në Europë dhe botë viti futbollistik nuk ka nisur ende./Indeksonline/

