08:59 / E Mërkurë, 23 Nëntor 2022 / A. M.

Paralajmërimi i deputetit serb: Serbinë e pret “ferri”, pasojat janë të pamatshme!

Deputeti i koalicionit serb (Zajedno-Moramo) Nebojsha Zelenoviq tha se “nëse Serbia nuk merr një vendim për të mbështetur luftën heroike të popullit ukrainas për liri dhe për të dënuar me sanksione qeverinë që kërcënon mbarë njerëzimin me një fatkeqësi bërthamore, Serbinë e pret një raund i ri i ferrit politik, pasojat e të cilit janë të pamatshme”.

“Sot Serbia po përpiqet të bëjë politikë sikur të mos kishte shpërthyer lufta në Ukrainë. Bota ndryshoi më 24 shkurt dhe një perde e hekurt ra në Evropë”, tha Zelenoviç, i cili mori pjesë në samitin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s si anëtar i delegacionit të Parlamentit serb, për gazetën Danas.

Ai tha se raporti për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua, “indirekt flet për qeverinë aktuale serbe”.

“Është një përfaqësim i politikanëve rajonalë që shkelin rregullat demokratike, luajnë me kartën ruse dhe shohin mbështetje për politikat e tyre në Rusinë e Putinit”. Është, siç shkruhet në raport, një përzierje e ultra-nacionalizmit dhe autoritarizmit”, tha Zelenoviq.