10:12 / E Diele, 05 Prill 2020 / indeksADMonline

Paralajmërimi i ekspertëve: Ilaçet kundër malaries nuk janë shpresë për kurimin e koronavirusit

Ende po punohet për të gjetur ilaçin që kuron koronavirusin ose për të zhvilluar vaksinën që do ti japë fund pandemisë së Covid-19. Të dëshpëruar nga shifrat e larta të të infektuarve dhe viktimave, britanikët po vendosin jetën në rrezik duke përdorur tabletat kundër malaries për të luftuar koronavirusin.

Mbrëmjen e kaluar, ekspertët hodhën poshtë pretendimet e studiueseve francezë që ilaçet e krijuara disa dekada më parë mund të kurojnë koronavirusin.

Studimin e publikuar muajin e kaluar e quajtën polemik, i cili mund të sjellë efekte të rrezikshme në shoqëri.

Ilaçet, klorokuin dhe hidroksiklorokuin u përdorën më parë për të mbrojtur udhëtarët nga infektimi i malaries. Sidoqoftë, jepen shumë rrallë për përdorim në ditët e sotme pasi parazitët e malaries që shkaktojnë sëmundjen janë bërë rezistente ndaj ilaçeve.

Trajtimi është i njohur se shkakton efekte anësore shqetësuese, duke përfshirë probleme me ritmin e zemrës dhe mund të çojnë në një arrest të papritur, fatal të zemrës.

Farmacistët në Britani kanë parë një rritje të numrit të personave që marrin ilace pa recetë. Shoqata Kombëtare e Farmacive, e cila përfaqëson farmacistë të pavarur, pretendoi se anëtarët po raportonin një rritje të kërkesës, dhe që mjekët e kishin përshkruar për përdorim personal, raporton Daily Mail.

Në studimet e mëparshme laboratorike, ilaçet kundër malaries kanë treguar rezultate premtuese për të luftuar Covid-19. Por sipas ekspertëve, klorokuini dhe hidroksiklorokuini nuk solli asnjë efekt.

Studiuesit kinezë kanë vlerësuar mundësinë se mund të trajtojnë të infektuarit me Covid-19, por një studim nuk tregoi asnjë përmirësim në pacientët që kishin formë të rëndë të sëmundjes.