Paralajmërohet ndërtimi i Qendrës Tregtare në Mitrovicë, do të punësojë mbi 1 mijë punëtorë

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim përfaqësuesin e operatorit ekonomik “Art Mall Sh.P.K”, Besart Baruti, me të cilin ka nënshkruar kontratën për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës për shfrytëzim afatgjatë.
Përmes kësaj kontrate, operatori ekonomik “Art Mall Sh.P.K” obligohet që hapësirën në fjalë ta shfrytëzojë për ndërtimin e qendrës tregtare “ART MALL”, sipas kushteve urbane të parapara dhe të lejuara në bazë të Planit rregullues urban komunal.
Kjo qendër tregtare në bazë të kontratës investimin total do të jetë me vlerën mbi 12 milionë euro, ndërsa me funksionalizimin e kësaj qendre do të punësohen rreth 1025 punëtorë, ku prej tyre 25 në administratë.
Kryetari Bahtiri tha se me realizimin e këtij projekti madhor, Mitrovica do të bëhet qyteti më atraktiv, ku tanimë jo vetëm qytetarët tanë, por edhe të rajonit do të kenë mundësi që të furnizohen me brendet më të njohura evropiane.
“Pa dyshim që ky projekt dhe projektet e tjera që janë duke u realizuar buzë Ibrit do t’a shndërrojnë Mitrovicën në një nga destinacionet më atraktive të vendit, ndërsa hapësira përgjatë Ibrit, do të jetë hapësira më e rregulluar në Ballkan”, shtoi kryetari Bahtiri.
Gjithashtu kryetari Bahtiri potencoi se lehtësitë, të cilat i ka krijuar komuna për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone, po mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, duke përmbushur premtimin e tij të dhënë në zvogëlimin e papunësisë dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të qytetit.