Paralajmërohet protestë masive kundër vendosjes së laurës në Grykën e Rugovës
Banorët që kundërshtojnë vendosje e një laure (rampe) në Grykën e Rugovës do të dalin përsëri për të protestuar, njofton Indeksonline.
Protesta e cila është thënë se do të jetë masive, mbahet nesër në qendrën e qytetit të Pejës, duke filluar nga ora 12:00.
Sipas organizatorëve, vendosja e kësaj laure nga banorët e zonës është duke u konsideruar si kufizim të zhvillimit të kësaj zone dhe qasje të lirë të qytetarëve në këtë zonë turistike.
“Komuniteti i zonës së Rugovës dhe qytetarët e Pejës në përkrahjen e Shoqërisë Civile kanë organizuar këtë protestë në shenjë pakënaqësie për veprimet e institucioneve tona në ndërtimin e laurës (rampës) në Grykën e Rugovës pa diskutime paraprake dhe pa ditur se për çka po ndërtohet kjo laurë, që banoret e zonës e shohin si kufizim të zhvillimit të kësaj zone dhe qasje të lirë të qytetarëve të Kosovës në këtë zonë turistike”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për mbajtjen e protestës.
Kujtojmë se protestë kundër vendosjes së laurës është mbajtur edhe të premten që lëmë pas.

Për të penguar punimet në ndërtimin e kësaj laure qytetarët kanë vendosur blloka të ndërtimit, thasë çimentoje dhe zalle në rrugë.

Vendosjen e kësaj laure, Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka arsyetuar me ndalimin e prerjes ilegale të pyjeve.
“Laura (rampa) që po ndërtohet në grykën e Rugovës ka për qëllim ndalimin e prerjes ilegale të pyjeve. Asnjë taksë dhe pengesë tjetër në dëm të lëvizjes së qytetarëve nuk është e autorizuar dhe nuk pranohet nga komuna. Çdo vendim që prekë interesat e banorëve dhe ambientin do të merret në konsultim me qytetarët e komunës së Pejës e sidomos me banorët e trevës së Rugovës”, thuhet në shkrimin e tij. /Indeksonline/
