11:49 / E Premte, 31 Mars 2023 / S Z

Paralajmërojnë greva dhe protesta, Berisha: Këtë vit pritet të largohen nga Kosova mbi 1200 infermierë

Për shkak të pakënaqësive me pagesat për ndërrime të natës dhe kujdestaritë për ditën e shtunë dhe të diel, infermierët e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, po paralajmërojnë greva dhe protesta.

Përparim Berisha, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së ka thënë për “Indeksonline” se pagesat për ndërrimin e natës për infermierët, janë rritur vetëm për dy euro dhe sa dallimi i pagesave për kujdestari dhe gjatë vikendeve, mes mjekëve dhe infermierëve është tejet i madh.

“Ne jemi të pakënaqur për shkak se çmimeve të ulëta që i kanë ofru  SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë,  për punën gjatë natës të infermierëve.  Pagesa për  ndërrime të natës, ka pasur rritje vetëm prej 2 euro. Prej 18 euro në 20 dhe prej 20 në 22 euro për infermierët e SHSKUK -së, që punojnë me ndërrime. Dallimi me pagesat e mjekëve është shumë i madh. Një mjek me Ligjin e ri të pagave, do të paguhet 288 euro për 24 orë punë ditën e shtunë që i bjen 14 herë më shumë se sa një infermier. Nuk e di në bazë të çfarë, i kanë bërë këto kalkulime. 22 euro paguhet infermieret gjatë kujdestarisë së shtunën, ndërkaq mjeku paguhet 288 mjeku”, tha ai..  

Ndërsa thotë se janë në pritje të listave të pagesave për kujdestari sepse e kanë të paqartë se sa do të paguhen saktë dhe pastaj do të dalin me një vendim për hapat që do t’i ndërmarrin, duke mos përjashtuar grevat dhe protestat.

“Ne do ta presim listat të shohim saktë. Jemi duke i kalkuluar së bashku me Federatën dhe do të dalim me një propozim. Do të takohemi dhe me ministrin dhe do ta sqarojmë këtë. Në rast se nuk ka reflektim ne do të fillojmë me protesta, por normal gjithmonë duke i radikalizu masat, në bazë të Ligjit për protesta dhe greva”, tha ai.

E duke pasur parasysh të gjitha këto, pagat e ulëta dhe pagesat për kujdestari gjatë ditëve të javës dhe vikendeve, ai thotë se pakënaqësia e infermierëve është tejet e madhe dhe se kjo ka bërë që numri i atyre që duan ta lëshojnë Kosovën, po rritet.

“Vlera e koeficientit 105 euro ndërrimi i natës 22 euro, i ka dëshpëruar shumë infermierët. Në mbledhjen që e kemi mbajtur me infermierët, kanë pasur kërkesa radikale dhe me bojkotu punën. Ndërsa sa i përket ikjes këtë vit pritet të ikin të paktën mbi 1200 infermierë. Sipas  informacioneve që kemi janë në përgatitje mbi 3 mijë infermierë, pasi që disa kolegje dhe agjencione kanë marrëveshje me klinikat gjermane, për dërgimin e infermierëve për t’i punësuar atje. Vitin e kaluar i kemi pasur rreth 700 infermier të cilët e kanë braktisur vendin. Ndërkaq këtë vit pritet që ky numër të dyfishohet dhe pritet të jetë mbi 1200. Ndërkaq deri tani kur po flasim rreth 200 infermierë  e kanë braktisur  vendin,  në vitin 2023”, tha ai./IndeksOnline/