Paralajmërojnë trajnerët: Fokusi në rrjetet sociale po shkatërron talentin sportiv

Trajnerë, sportistë dhe drejtues federatash po ngrenë alarmin për ndikimin negativ që rrjetet sociale kanë tek të rinjtë dhe sportistët në Kosovë.
Ata theksojnë se varësia nga platformat digjitale po ua humb fokusin të rinjve nga stërvitja dhe aktivitetet fizike, madje në disa raste po i shtyn të braktisin sportin.
Dëshira e të rinjve për të shfaqur gjithçka në rrjete sociale thuhet se po e vështirëson më shumë edhe punën e trajnerëve për të nxjerrë maksimumin nga atletët me të cilat punojnë.
Trajnerja e volejbollit, Herta Jahje, thotë për KosovaPress se fokusi i të rinjve në rrjete sociale është tepër i madh, derisa rekomandon një bashkëpunim më të thellë ndërmjet trajnerëve, mësuesve dhe prindërve për ta ndryshuar këtë situatë.
“Ne si trajnerë mendoj se e kemi pak të vështirë të punojmë me grupmoshat e reja në ditët e sotme sepse rrjetet sociale kanë një fokus të veçantë tek fëmijët por unë mendoj që bashkëpunimi trajner ose profesor bashkë me prindërit do të ishte një bashkëpunim shumë i mirë që ata të tërhiqeshin pak nga rrjetet sociale dhe të merreshin sa më shumë me aktivitete. Po ashtu edhe në shkolla Edukata Fizike zhvillohet vetëm dy herë në javë, por do të ishte shumë më mirë të ishte tri herë në javë, e pse jo edhe më shumë sepse edhe fëmijët bëhen më vital, mësojnë disiplina. Sporti nuk është se të mëson vetëm të jesh talent në një sport të caktuar, ta formon karakterin, të disiplinon që të jesh më social, ka shumë benefite të merresh me sport dhe të jesh pak më i tërhequr nga rrjetet sociale”, deklaron Jahje.
Por nuk përfundon gjithçka vetëm tek mos-fokusimi. Trajnerja e volejbollit Elona Kolgeci thotë se ka raste kur, për shkak të rrjeteve sociale, shumë të rinj vendosin të heqin dorë nga sporti.
Unë dita-ditës shoh shembuj edhe te garuesit në klubin tim që kjo pjesa e rrjeteve sociale po ndikon shumë negativisht në performancën e tyre, e në disa raste ndikon edhe në gjendjen psikike të tyre, por ka raste kur ata edhe e ndalin sportin për shkak të rrjeteve sociale për shkak se ata qëndrojnë ndoshta deri vonë dhe të nesërmen me performancë janë shumë dobët dhe kjo ndikon që ata ndoshta të mendojnë edhe ta braktisin sportin. Për këtë arsye, mendoj se ky është një problem shumë i madh në shoqërinë tonë dhe shpresojmë që sadopak ne si trajnerë, apo edhe prindërit të ndikojnë në këtë aspekt që fëmijët dhe garuesit të qëndrojnë sa më larg rrjete sociale”, thekson Kolgeci.
Që kjo problematikë po merr përmasa serioze e pranojnë edhe në Federatën e Sporti Shkollor. Kryetar i kësaj federate, Adrian Telaku vë në pah se problemi i fokusit tek rrjetet sociale nis që në moshat më të vogla, madje që nga kopshti, duke e cilësuar këtë një sfidë të madhe për edukimin dhe zhvillimin fizik të fëmijëve.
“Çështja e ndikimit të rrjeteve sociale tek fëmijët në këtë rast, tek nxënësit apo sportistët në përgjithësi është një problematikë shumë më e madhe se sa që mund t’i japim ne një epilog zgjidhjes së këtij problemi, për arsye se trendi është i tillë por, me vullnet, me përkushtim dhe sa më shumë që ne e shohim të arsyeshme, nëse një fëmijë e mbajmë sa më shumë aktiv në pjesën fizike-sportive ia redukton kohën e lirë në mënyrë që ai të merret me rrjete sociale, thotë Telaku.
Xhudistja Enise Zijade, e cila së fundi rrëmbeu medaljen e brozntë në Lojërat EYOF 2025, thekson se rrjetet sociale mund të të humbasin fokusin në stërvitje dhe të të pengojnë për të dhënë maksimumin në arritjen e qëllimeve sportive.
Trajnerë e drejtues federatash konsiderojnë se nëse nuk ndryshon ky trend ku të rinjtë kanë gjithë fokusin në rrjete sociale, atëherë Kosova mund të rrezikojë që në të ardhmen të mos jetë në mesin e vendeve që synojnë rezultate elitare sportive në arenën ndërkombëtare. A.Bytyç