12:14 / E Enjte, 09 Gusht 2018 / indeksADMonline

Paralajmëron Vuçiq: Marrëveshja finale Kosovë-Serbi e rëndë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se është pro ridefinimit të kufijve me shqiptarët, pra për demarkacion të mundshëm në Kosovë.

Sipas Vuçiqit nuk mund të flitet ende se për çfarë bisedon me shqiptarët e Kosovës pasi kjo do të zbulonte kartat e Serbisë në bisedime.

“Unë pajtohem dhe kjo është politika ime, për ridefinimin e kufijve me shqiptarët. Duhet ditur se kemi një territor për të cilën nuk dihet se kush dhe si e trajton dhe se çfarë kujt i takon dhe kjo është gjithmonë një potencial për konflikt të mundshëm”, ka thënë Vuçiq, transmeton Indeksonline.

Presidenti serb, Vuçiq ka shtuar tutje se marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë një pako gjithëpërfshirëse e cila nuk është e lehtë dhe e thjeshtë si e mendojnë disa.

Ndërsa është pikërisht çështja e mundësisë së lëvizjes së kufijve të Kosovës e cila ka qenë tema më aktive përgjatë këtyre ditëve. Në shumë raste është theksuar se ekziston mundësia që Lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovën dhe që veriu i Kosovës të lihet si pjesë e Serbisë./Indeksonline/