16:15 / E Martë, 25 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Parandalimi i kultivimit të kanabisit, një ndër prioritetet kryesore të punës së policisë shqiptare

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, së bashku me Zv/Drejtoreshën e Përgjithshme Aida Hajnaj, Drejtorin e Departamentit për Policinë Kriminale Tonin Vocaj dhe Drejtorin e Departamentit për Sigurinë Publike Gjovalin Loka, zhvilloi një takim pune me zëvendësdrejtorët për Sigurinë Publike në Drejtoritë Vendore të Policisë dhe shefat e Komisariateve të Policisë.

Fokusi i takimit ishte forcimi i masave parandaluese dhe rritja e kontrolleve në terren, me qëllim parandalimin e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike.

Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu ka kërkuar nga zëvendësdrejtorët dhe shefat e komisariateve, rritje të intensitetit të punës, në drejtim të mbledhjes së informacionit për personat me tendencë në fushën e kultivimit të narkotikëve, mbajtjen nën kontroll të këtyre elementëve, kontroll të imtësishëm të territorit dhe bashkëpunim me të gjitha agjencitë që ligji i ngarkon me përgjegjësi.

Drejtor Veliu ka theksuar se vitin e kaluar është bërë një punë e mirë, por duhet akoma më shumë, qoftë në drejtim të parandalimit, ashtu edhe të evidentimit dhe goditjes së elementëve që tentojnë të kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike.

Veliu theksoi se për çdo kubik, fidan apo bimë që do konstatohet nga informacionet e ardhura jashtë strukturave të Policisë së Shtetit, përgjegjës direkt do jenë zv/drejtorët dhe shefat e komisariateve, ndaj duhet të ngarkohen me përgjegjësi strukturat, me qëllim që pesha e përgjegjësisë të ndihet në gjitha nivelet.

Një tjetër pikë që Drejtori i Përgjithshëm diskutoi gjatë takimit ishin veprimet që strukturat e qarqeve duhet të kryejnë në mbështetje të OFL-së.

Në fund të takimit Drejtor Veliu ka kërkuar rritje të performancës, shërbim sa më të mirë për qytetarët dhe ka theksuar se është e domosdoshme që titullarët e strukturave të presin qytetarët e të diskutojnë dhe t’i dëgjojnë ata për shqetësimet që ata kanë dhe të vlerësojnë informacionet që qytetarët përcjellin për goditjen e paligjshmërisë, duke reaguar në kohë e me paanshmëri dhe duke ruajtur anonimatin e sigurt për qytetarët.