Parandalohet futja e 5 telefonave në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë
Një tentativë për futjen e kontrabandës është parandaluar sot rreth orës 13:30 në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, kontrabanda dyshohet të jetë hedhur nga jashtë perimetrit të institucionit, duke rënë në hapësirën e brendshme të qendrës.
Zyrtarët korrektues kanë reaguar menjëherë duke siguruar zonën dhe duke zhvilluar një kontroll të detajuar në hapësirën e shëtitjes. Gjatë kontrollit janë gjetur tri pako të dyshimta, brenda të cilave ndodheshin pesë telefona mobilë me kabllo.
Pakot janë konfiskuar dhe dokumentuar në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka nisur veprimet e nevojshme hetimore.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka theksuar se mbetet i përkushtuar në forcimin e masave të sigurisë dhe në parandalimin e çdo përpjekjeje për futjen e sendeve të ndaluara në institucionet korrektuese./IndeksOnline/

