Parandalohet kontrabanda e tabletëve, telefonëve dhe medikamenteve nga Shqipëria në Kosovë

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Tarifa”.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se është parandaluar një rast i tentativës për të kontrabanduar në Kosovë mallra për të cilat paguhet akcizë.
Po ashtu, thuhet se janë sekuestruar mallra të ndryshme, me vlerë totale rreth 54.350.000 lekë, si dhe dy automjetet në të cilat u gjetën këto mallra.
Gjithashtu, janë arrestuar në flagrancë dy drejtuesit e automjeteve.
“Gjatë operacionit, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë kaluan në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, automjetin furgon me drejtues shtetasin B. L., dhe automjetin tip ‘Volkswagen’, me drejtues shtetasin F. M.”
“Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M. u gjetën 1006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme, disa arka me 41.000 tableta dhe 2.194 celularë, ndërsa gjatë kontrollit në furgonin me drejtues shtetasin B. L. u gjetën 62 thasë me duhan, me peshë totale 930 kilogramë,” thuhet në njoftim.
Mallrat, me vlerë totale rreth 54.350.000 lekë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me dy automjetet./Indeksonline/