Parandalohet një rast i kontrabandës, konfiskohet mall në vlerë mijëra euro

Njësia TASK FORCE – Lindje (e përbërë nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës), në kuadër të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, ka intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në zonën kufitare RMV–RKS.
Pas pranimit të informatave operative se një automjet i tipit kombi furgon, me ngjyrë të bardhë dhe targa vendore, ishte vërejtur në komunën e Vitisë i ngarkuar me mallra të dyshuara si të kontrabanduara, njësitë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme për identifikimin e tij.

Automjeti u ndalua nga njësitet policore dhe doganore. Ai ishte në pronësi të personit N.I., 44 vjeçar nga Vitia.
Gjatë kontrollit, në automjet u gjetën mallra të ndryshme, si:
•Tekstil
• Pajisje elektronike
•Mbathje sportive, të gjitha pa prejardhje dhe pa fatura, përfshirë produkte të markave tregtare të mbrojtura, që dyshohet se janë të falsifikuara.
Hetimet e para kanë konstatuar se mallrat ishin transportuar përmes dy kompanive të postës së shpejtë, të cilat dyshohet se janë përdorur për dërgimin e paligjshëm të këtyre mallrave.
Pasi pronari i automjetit nuk posedonte dokumentacion për mallrat, ai u shoqërua bashkë me automjetin në terminalin doganor në Ferizaj.
Mallrat, me vlerë mbi 5,000 € sipas çmimeve të tregut, u sekuestruan nga autoritetet doganore.
Rasti është duke u trajtuar nga Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.