13:17 / E Hënë, 07 Shtator 2020 / indeksADMonline

Parashikime të frikshme: Më shumë se 410 mijë amerikanë mund të vdesin nga Covidi-19

Më shumë se 410 mijë amerikanë mund të vdesin nga Covidi-19 deri më 1 janar të vitit 2021, sipas modelit të fundit të zhvilluar nga Instituti i Universitetit të Uashingtonit mbi Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME), një institut kërkimor që punon në fushën e statistikave globale të shëndetit dhe vlerëson ndikimin e tyre.

Shtetet e Bashkuara raportuan më shumë se 188.500 vdekje të dielën dhe më shumë se 6.2 milionë raste të konfirmuara me koronavirusin, sipas të dhënave të universitetit “Johns Hopkins”. Nëse modeli IHME-së, i publikuar të premten, është i saktë, kjo do të nënkuptojë se përgjatë më shumë se tre muajve të ardhshëm do të shënoheshin rreth 222 mijë vdekje, shkruan voa, përcjell Albinfo.ch.

“Ne presim që niveli ditor i vdekjeve në Shtete të Bashkuara, për shkak të sezonit dhe vigjilencës në rënie të publikut, të arrijë gati 3.000 në ditë në muajin dhjetor”, thanë përfaqësues të këtij insituti, që e konsideron veten si një qendër e pavarur kërkimore.

Më parë u parashikuan 317.697 vdekje deri më 1 dhjetor.

Sidoqoftë, studiuesit në IHME thanë se nëse përdorimi i maskave do të bëhej gati i përgjithshëm, 222 mijë vdekjet e parashikuara mund të përgjysmoheshin. Anasjelltas, nëse lehtësohen kufizimet, shifra do të ishte shumë më e lartë deri në vitin e ri.