75 Mall Live Search
11:24 / E Mërkurë, 10 Prill 2019 / indeksADMonline

Parashikimi i analistëve kosovarë për zgjedhjet në veri

Me 19 maj serbët në katër komunat e Kosovës do të ju drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur atë që duan t’i përfaqësoj.

Mirëpo, ky komunitet është duke u frikësuar se nëse bojkotohen zgjedhjet, atëherë për kryetar do ta kenë një shqiptar.

Vërejtjen ua ka tërhequr edhe Dushan Radakoviq, drejtor i Qendrës për Përfaqësim të Kulturës Demokratike (ACDC) në veri të Mitrovicës, i cili ka thënë se në rast se serbët bojkotojnë zgjedhjet e shpallura nga presidenti Hashim Thaçi, atëherë kryetar të Mitrovicës së Veriut do ta kenë një shqiptar.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu ka thënë se varet se çfarë vendosë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq.

“Varet se si Vuçiqi vendos. Nëse vendos të mos dalin në zgjedhje, atëherë nuk do të ketë, nëse po, atëherë nuk do ta bojkotojnë. Megjithëse shtrohet pyetja pse i ka detyruar kryetarët e komunave që të japin dorëheqje nëse ai nuk do të donte zgjedhje në veri”, ka thënë Spahiu për Indeksonline.

Ndërsa, njohësi tjetër i çështjeve politike, Fatmir Sheholli për Indeksonline ka thënë se serbët në komunat veriore duhet të bashkëpunojnë me institucionet e vendet.

“Ligjet parashohin legjitimitet dhe mundësi që kushdo mund të zgjidhet kryetar i një komune pas zgjedhjeve. Serbet në katër komunat veriore nuk kane nevojë të frikësohen por duhet të bashkëpunojnë me institucionet e shtetit te Kosovës dhe me te gjitha komunitetet qe jetojnë ne atë pjese. Nëse eventualisht bojkotohen zgjedhjet ne veri atëherë institucionet e Kosovës do te sfidohen me këtë fenomen.  Por mos te harrojmë se në rast te bojkotit dhe nëse kemi jo të zgjedhur me legjitimitet qytetar, atëherë në Kosovë janë forcat e KFOR-it dhe faktorit ndërkombëtare që në rast të ndonjë problemi serioz duhet të ruajnë tërësinë territoriale dhe qetësinë në Kosovë”, ka thënë ai.

Zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok kanë ardhur pas dorëheqjes në fund të vitit 2018 të kryetarëve Goran Rakiq, Vuçina Jankoviq, Zoran Todiq dhe Stevan Vulloviq.

Ata dhanë dorëheqje për shkak të vendosjes së taksës prej 100 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës./Indeksonline/