75 Mall Live Search
22:45 / E Premte, 10 Korrik 2026 / Gj Sh

Parlamenti Evropian kërkon që Gianni Infantino të hetohet për menaxhimin e FIFA-s

Parlamenti Evropian ka kërkuar nisjen e një hetimi ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, lidhur me mënyrën e menaxhimit të organizatës dhe dyshimet për ndërhyrje të mundshme në proceset vendimmarrëse gjatë Kupës së Botës.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, një grup eurodeputetësh i është drejtuar Komitetit të Etikës së FIFA-s me kërkesën për të shqyrtuar veprimet e Infantinos, pas polemikave të krijuara rreth kontakteve të tij me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përpara ndeshjes mes SHBA-së dhe Belgjikës në Kupën e Botës, shkruan IndeksOnline.

Eurodeputetët kërkojnë të sqarohet nëse ka pasur ndikim të papërshtatshëm në vendimmarrjen e FIFA-s dhe nëse janë respektuar parimet e pavarësisë dhe neutralitetit që duhet të udhëheqin institucionin më të lartë të futbollit botëror.

Kërkesa për hetim vjen në një moment kur FIFA po përballet me kritika të shumta për qeverisjen dhe transparencën e saj, ndërsa deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Gianni Infantino apo nga FIFA lidhur me këtë çështje.

Nëse Komiteti i Etikës vendos të hapë një procedurë, rasti mund të çojë në një shqyrtim të detajuar të rolit të presidentit të FIFA-s dhe mënyrës së ushtrimit të detyrës së tij./IndeksOnline/