Parma, mbyllet pavioni i Covid19, emocione dhe duartrokitje nga mjekët dhe infermierë

Kryebashkiaku i Parmës ka dhënë një lajm të mirë këtë fundjavë. Në spitalin“Maggiore” të Parmës në Itali u mbyll pavioni nr.26, që ishte përcaktuar për pacientët e infektuar me koronavirus.
Federico Pizzarotti, ka publikuar në rrjetin social facebook një video të filmuar në pavion ku duket qartë gëzimi dhe lumturia e stafit mjekësor. Mjekë dhe infermierë kanë përjetuar emocione pozitive pas një pune intensive dhe të lodhshme me shumë dhimbje gjatë periudhës së pandemisë, shkruan Shqiptarja.
“Sot mbyllëm pavionin 26 në spitalin e Parmës. Kjo është forca dhe zemra e djemve dhe vajzave tona. Faleminderit që ekzistoni. Do ia dalim”, shkruan Pizzaroti përkrah videos, e cila ka bërë xhiron e rrjetit duke marrë edhe mirënjohjen e mijëra qytetarëve italianë.