Parregullësi në Federatën e Volejbollit, KVF Peja ngre padi ndaj tre zyrtarëve

Ditë më parë, klubi i Volejbollit Peja, ka bërë kallëzim penal ndaj kryetarit të FVK-së Bahri Gjinovci, sekretarit Valon Nikqi dhe Komisionit Disiplinor gjegjësisht kryetarit të komisionit Gëzim Brahimi.
Arsyeja sipas tyre është se kanë shkelur Statutin dhe rregulloret e FVK-së dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkruan IndeksOnline.
Nga klubi i KVF Pejës, bëjnë të ditura se arsyeja kryesore pse ka ardhur deri te ky kallëzim penal është si pasojë e lojtares Mirjeta Bylykbashi e klubit Gjinovci.
Kështu ka bërë të ditur kryetrajneri i KVF Pejës, Qazim Kelmendi, në një prononcim për IndeksOnline.
Ai ka thënë se volejbollistja Mirjeta Bylykbashi ka luajtur për klubin e Gjinovcit edhe pse nuk ishte regjistruar me kohë gjatë afatit kalimtar nga klubi suharekas.
‘’Ne e kemi luajtur ndeshjen e parë me 18 shkurt, Federata e Volejbollit e ka afatin kalimtar nga 15-31 janar siç e kanë pothuajse të gjitha federatat. Në atë afat kalimtar nuk ka kaluar një lojtare, Federata e Volejbollit ka shpërnda vendimin që u mbledh grupi i kalimeve me 2 shkurt dhe ka dhënë afat që deri me 10 shkurt në ora 16:00 të kompletohen të gjitha dokumentet e lojtareve që kanë bërë kërkesë me kalua. Në atë kohë nuk ka kaluar as nuk ka mbledh asnjë dokument lojtarja në fjalë, kurse me 16 shkurt në ora 14:47 minuta e ka bërë pagesën edhe pse nuk ka marrë kurrfarë vërtetimi që i ka bërë kërkesë klubit amë për me e lirua, por me pages 200 euro dhe gjashtë ditë mas kohe, e që kjo është e parregullt”, ka thënë Kelmendi për IndeksOnline.

Ai ka thënë se volejbollistja Mirjeta Bylykbashi ka luajtur në ndeshjen Gjinovci – Peja, e cila është zhvilluar me 18 shkurt, dhe se për kanë bërë ankesë në dy shkallë të komisionit, por që kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh.

Kelmendi po ashtu ka bërë të ditur se tashmë KVF Peja ka bërë kërkesë edhe në arbitrazh dhe po presin vendimin e tyre./IndeksOnline/