13:45 / E Enjte, 23 Janar 2020 / indeksADMonline

PD-ja i shtohet koalicionit të partive shqiptare në Serbi. Cakaj takon Arifin: Të bashkuar për interesin kombëtar

Në një reagim në Facebook, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, bëri të ditur se marrëveshjes “Për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë” së nënshkruar nga Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, sot i është bashkuar edhe Partia Demokratike.

Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, kryediplomati Cakaj priti në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Luginës së Preshevës, z. Nagip Arifi, i cili në përfundim të takimit nënshkroi edhe marrëveshjen.

“Në takim nënvizuam edhe njëherë rëndësinë e patjetërsueshme të bashkimit politik e bashkëpunimit ndërpartiak në mbrojtje të interesave kombëtare e politikave zhvillimore në përgjithësi!”, u shpreh Cakaj në statusin e tij, sa i përket takimit të zhvilluar.