07:52 / E Shtunë, 20 Tetor 2018

Partia e Gruevskit përjashton deputetët që votuan pro ndryshimeve kushtetuese

VMRO-DPMNE, menjëherë pas mbarimit të seancës plenare ku u votua nisma për ndryshimet kushtetuese dhe pro të cilave përskaj deputetëve të mazhorancës votuan edhe 7 deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe Zeqir Rançilloviq që është pjesë e koalicionit të kësaj partie, vendosi që të përjashtoj nga partia deputetët që votuan në kundërshtim me qëndrimin e partisë.

Deputetët në fjalë janë: Kërste Mukovski, Elizabeta Kançeska-Milevska, Nola Ismaillovska, Ljuben Arnaudov, Emilija Aleksandrova, Sashe Vasilevski.

“Dua të shpreh falënderim ndaj deputetëve që nuk u përkulën kundrejt kërcënimeve dhe shantazheve. Dita kur duhej të votohen këto ndryshime u shndërrua në gjah ndaj deputetëve. Deputetë që votuan pro ndryshimeve, unë si person nuk mund t’i arsyetoj, ata ndoshta kishin qëllimet e tyre, por unë nuk mund t’i arsyetoj”, tha Mickovski, përcjell Alsat M.

“Shtatë deputetët që votuan kundër qëndrimit të partisë dhe vullnetit të qytetarëve, më dëshpëruan mua, edhe pse kjo nuk është me rëndësi, por është e rëndësishme se dëshpëruan partinë dhe qytetarët. Për këtë arsye Komiteti i VMRO-së mbajti mbledhje dhe përjashtoi 7 deputetët që votuan pro ndryshimeve”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.