15:40 / E Martë, 20 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Partia e Shpendit “zbulon formulën” si ta shpëtojmë Kosovën

Partia Socialdemokrate ka shprehur zhgënjimin e saj për mosmbështetjen e mjaftueshme të kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në Interpol, sot në Dubai.

Bllokimi i Kosovës për anëtarësim në Interpol i shërben fuqizimit të krimit dhe përkeqëson sigurinë rajonale e globale. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Atë nuk mund ta ndalin “fitoret e Pirros” të Qeverisë së Serbisë.

Fushata agresive e Qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol dëshmon dështimin e dialogut të deritanishëm midis Kosovës dhe Serbisë. Ngjarja e sotme duhet të shërbejë si leksion për pushtetin, që të bashkërendohet me opozitën, për ta rikonfiguruar sa më parë dialogun me Serbinë. Dialogu i drejtuar nga Presidenti Thaçi po e bën Serbinë çdo ditë e më shumë agresive kundrejt Kosovës.

Nga ana tjetër, Partia Socialdemokrate kërkon përgjegjësi dhe llogaridhënie politike e profesionale, nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës, lidhur me dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, thuhet në komunikatën e kësaj partie. /Indeksonline/