23:15 / E Enjte, 13 Gusht 2020 / indeksADMonline

Partisë së Mimoza Kusarit i vdes një zyrtar i lartë

Ka vdekur kryetari i Degës së Alternativës në Gjakovë, Gurakuq Dobruna –Kuqi.


Këtë lajm e ka bërë të ditur vet deputetja Mimoza Kusari-Lila, transmeton IndeksOnline.


Ky është postimi i saj:


Si të shkruaj sonte për Gurakuqin që na la e iku nga kjo botë në qetësinë e përjetshme!?!

Dhimbja sonte është e të gjithëve që e njohin Kuqin. Ai ishte mishërim i Gjakovës së kuqe.
I qetë, i mençur dhe trim, gjithmonë i gatshëm t’i ndihmoj vendit dhe familjes.
Krijimet e tij sfiduan imagjinatën dhe thumbuan ata të cilëve ju duhej një dozë realiteti.

Lirindja portretizoi shpirtin e tij kreativ dhe ndërgjegjën e lartë qytetare.

Sot e kam vështirë të shkruaj për Gurakuqin, bashkëpunëtorin tim prej një dekade. Ai ishte idealisti që besoi se vendi meriton më mirë dhe mbështeti secilën ide që i shtonte vlerë Kosovës dhe shqiptarisë. Njeri me virtyte dhe vlera të rralla! Edhe pse afër politikës, Gurakuqi veproi dhe kurrë asgjë nuk i kërkoi politikës dhe kurrë asgjë nuk i mori vendit.

Gurakuq Dobruna ishte patriot, i brymosur me vlerat më të larta njerëzore. Luftëtari i UÇK-së i cili iu bashkua thirrjes për liri dhe bashkë me dy vëllezërit e tij kontribuoi deri në ditën e çlirimit.
Pas çlirimit ata ishin qytetarët e devotshëm me shpirtin paqësor dhe punën e zellshme.

Sonte Gurakuqi u nda fizikisht nga ne, por ai do të vazhdojë të jetojë në mesin tonë përmes veprës dhe idealit të tij.

Gurakuqi udhëhoqi degën më të madhe dhe kryesore të Alternativës, degën e Gjakovës. Aty ai la një boshëllëk dhe humbje që do e ndiejmë shumë gjatë, por kurrë nuk do të shterrojë frymëzimi për kauzën që la pas.

Ngushëllime Nënës Shyhrete, gruas Genita dhe fëmijëve Ambla dhe Doni!
Ngushëllime vëllezërve Elbasan dhe Lekë dhe mbarë familjes së madhe, Dobruna.
Ngushëllime bashkëpunëtorve të Alternativës dhe tërë Gjakovës.
Ne humbëm Kuqin, por ai na la shumë për ta kujtuar dhe për të qenë krenarë me të.

Të pastë dritë shpirti i bardhë dhe të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!