Partitë politike në diasporë ankohen për vonesë në shpërndarjen e pakove me fletëvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të mërkurën ka nisur procesi i votimit me postë për qytetarët e Kosovës që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale jashtë vendit.
Mirëpo, përfaqësues të partive politike në diasporë thonë se ende nuk ka filluar shpërndarja e pakos me fletëvotime atyre që janë regjistruar për të votuar.
Shqiptar Gubetini kryetar i PDK-së në Regensburg të Gjermanisë ka thënë se në bazë të informatave që ai posedon, asnjë pako me fletëvotime nuk ka arritur deri më tani.
“Sipas informatave që i kam janë rreth 15 mijë zarfe që janë nis prej Kosovë që iu shpërndahen atyre që janë regjistru, mirëpo nga komunikimet që kam jo vetëm në Gjermani, por edhe në shtete tjera, ende asnjë nuk ka arritur deri më tani. Shtrohet pyetja kur mbërrijnë këto fletëvotime?”, ka thënë Gubetini për IndeksOnline.
Më tutje, ai thotë se e komplikuar do të jetë edhe tërheqja e materialit zgjedhor, pasi njerëzit punojnë gjatë ditës dhe nuk do të kenë mundësi t’i tërheqin këtë material nga posta.
Edhe Sokol Mehmetaj nga AAK në Zvicër, ka thënë se shumicës dërrmuese në këtë shtet, sipas informacioneve që ka nuk i kanë arritur materiali zgjedhor. Megjithatë, ai më shqetësuese e sheh formën e votimit, pasi thotë se është më e komplikuar kësaj radhe, për dallim prej herëve tjera.
“Shumica e të moshuarve duhet me iu ndihmu sepse nuk është e thjeshtë”, shton ai.
Kujtojmë se periudha e votimit me postë do të zgjasë 25 ditë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor, dhe do të përfshijë vetëm 43,933 votues që janë regjistruar me sukses jashtë Kosovës.
“KQZ ka përgatitur pakot për secilin votues të regjistruar, e cila përmban nga dy fletëvotime, një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal.”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
“Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës”, vijon njoftimi /IndeksOnline/