75 Mall Live Search
16:36 / E Shtunë, 05 Korrik 2025 / MSH

Pas 16 vitesh, Oasis i rikthehet skenës muzikore

Pas më shumë se një dekade tensionesh dhe heshtjeje, Liam dhe Noel Gallagher u ngjitën sërish bashkë në skenë, duke rikthyer Oasis-in për një nga ribashkimet më të mëdha në historinë e muzikës rock. Pas 5.795 ditësh që nga koncerti i fundit, grupi britanik i viteve ’90 ndezi skenën në stadiumin Principality të Cardiff-it, përballë një audience prej 70 mijë vetësh.

Në ekranet gjigante të stadiumit shfaqej mesazhi: “Kjo nuk është një provë. Po ndodh vërtet, Cardiff,” një sinjal i qartë për atë që pasonte: ribashkimi i shumëpritur.

Koncerti nisi me “Hello”, një përzgjedhje kuptimplotë për t’i përshëndetur fansat pas një mungese kaq të gjatë. Më pas, “Acquiesce”, kënga ku të dy vëllezërit ndajnë vokalin, dha një mesazh të qartë: ndarjet ishin lënë pas, të paktën për atë natë. Ishte një mbrëmje e mbushur me emocione, nostalgji dhe një lidhje të fortë mes brezave që kishin ndjekur Oasis-in që nga ditët e para.

Liam, me stilin e tij karakteristik, i pandryshuar për dekada, qëndronte stoik përpara mikrofonit. Noel, më i përmbajtur por me një prani të fortë, mbante kontrollin muzikor. Në një moment të papritur, para se të këndonin “Cigarettes & Alcohol”, Liam i kërkoi publikut të kthehej nga njëri-tjetri dhe të përqafohej – një gjest spontan që u ndoq pa fjalë, por me emocion.

Pavarësisht historisë së trazuar mes vëllezërve, një përqafim i shkurtër gjatë koncertit dha sinjale të qarta se për të paktën një natë, armëpushimi kishte hyrë në fuqi. Me ta në skenë ishin edhe anëtarët e tjerë të grupit: Andy Bell, Gem Archer, Paul “Bonehead” Arthurs dhe Joey Waronker.

Në skenë u sollën këngë që kanë bërë histori, si “Supersonic”, “Talk Tonight”, “Half the World Away”, ndërsa kulmi emocional u arrit me “Stand By Me”, e kthyer në një kor gjigant. Më vonë, “Live Forever” iu dedikua futbollistit të ndjerë Diego Jota. Koncerti përfundoi me klasikët “Don’t Look Back in Anger”, “Wonderwall” dhe “Champagne Supernova”, këngë që i dhanë zë një epoke të tërë.

Ribashkimi nuk ishte vetëm një ngjarje muzikore, por një kthim pas në kohën e “Cool Britannia”, periudhën kur Britania sundonte kulturën pop, dhe Oasis ishin në qendër të vëmendjes krahas emrave si Blur, Tony Blair, Nick Hornby dhe Damien Hirst.

Turneu, i cili do të zgjasë deri në nëntor, do të përfshijë 41 data në Amerikë, Azi, Australi dhe më pas në Europë verën e vitit 2026. Kërkesa për biletat në Britani dhe Irlandë ka qenë marramendëse – mbi 10 milionë aplikime për më pak se një milion vende.

Cardiff u përfshi nga një valë emocionesh, entuziazmi dhe rikujtimesh: trenat e mbushur, prindër me fëmijë që s’kishin lindur kur grupi u nda, fanella të vjetra të Oasis-it dhe atmosfera e një epoke që shumë e kishin menduar të mbyllur përgjithmonë.

Për një natë, muzika e viteve ‘90 u rikthye më e gjallë se kurrë. Dhe në qendër të saj ishin sërish Liam dhe Noel Gallagher bashkë, më në fund.