Pas 19 muajsh larg, Princi Harry kërkon të pajtohet me Mbretin Charles dhe familjen mbretërore

Pas një vizite katërditore në Londër dhe Nottingham, Princi Harry ka zhvilluar një takim privat me Mbretin Charles, takimi i tyre i parë pas 19 muajsh.
Sipas burimeve mbretërore, takimi në Clarence House u përqendrua në rikthimin e marrëdhënieve mes babait dhe djalit, ndërsa Mbreti ka shprehur dëshirën për të parë më shpesh nipërit e tij, Archie dhe Lilibet, të cilët nuk i ka takuar prej vitit 2022.
Takimi shihet si një hap i parë drejt pajtimit, edhe pse marrëdhëniet mes Harry-t dhe Princit William mbeten të ngrira.
Të dy ndodheshin në të njëjtën kohë në Britani, por nuk pati asnjë komunikim mes tyre. “Mbreti dëshiron që djemtë e tij të mos i kthejnë vitet e fundit të jetës në një makth”, tha një burim pranë familjes mbretërore.
Pas qëndrimit në Britani, Princi Harry udhëtoi drejt Kievit, ku po zhvillon takime me veteranë të plagosur dhe përfaqësues të autoriteteve ukrainase. Gjatë vizitës, ai theksoi se Invictus Games dhe nismat e tjera synojnë të ofrojnë mbështetje morale për ushtarët dhe familjet e tyre.
Vizita e tij në Britani është parë nga analistët si një “mini-turne mbretëror”, me pesë angazhime publike, përfshirë një event për The Diana Award. Pavarësisht pengesave që lidhen me sigurinë dhe qëndrimin e Meghan Markle për t’u rikthyer në Mbretëri, takimi i Harry-t me Mbretin shihet si një shenjë shprese për afrimin e ardhshëm të familjes.