75 Mall Live Search
07:11 / E Enjte, 04 Tetor 2018 / indeksADMonline

Pas 19 vitesh KFOR-i gjerman largohet nga Prizreni

Në sheshin Shatërvan të Prizrenit, sot me fillim nga ora 16:30 me një ceremoni të largimit do tu jepet lamtumira ushtarëve gjermanë të KFOR-it që për 19 vite shërbyen në qytetin e Prizrenit.

Gjermania dhe ushtria gjermane (Bundeswehr-i) do të mbeten edhe më tej aktive në Kosovë. Pas një pranie gati 20-vjeçare në Prizren, Bundeswehr-i e transferon angazhimin e tij në Camp Film City në Prishtinë dhe mbetet edhe më tutje i aktiv në kuadër të KFOR-it. Në hapësirën e kampit fushor në Prizren do të ngritet Parku gjermano-kosovar Inovativ dhe Trajnues (ITP), i cili do të mbështetet me mjete të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë Federale gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Për ta shënuar këtë ditë në Kosovë do të qëndrojnë  Sekretarja Parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Maria Flachsbarth, dhe Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Thomas Silberhorn. Të dy së bashku do t’i thonë lamtumirë kontingjentit gjerman të KFOR-it në Prizren dhe në mënyrë simbolike do të hapin Parkun Invativ dhe Trajnues „ITP Prizren“, për të cilin shfrytëzohet kampi fushor në Prizren.

Gjatë vizitës së tyre, sekretarët parlamentarë do të takojnë Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Haradinaj pritet të merr pjesë në manifestimin lamtumirës nga ushtarët e KFOR-it gjerman.

Gjithashtu, Haradinaj merr pjesë në pritjen solemne organizuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, për KFOR-in dhe delegacionin e lartë gjerman, ku do të bëhet edhe lansimi i “Parkut Inovativ dhe Trajnues”.

Kjo ngjarje do zhvillohet në Ndërtesën e Komunës së Prizrenit nga ora 18:00./Indeksonline/