Pas 20 vitesh i arratisur, policia gjen mafiozin falë Google Maps

Pas një hetimi dyvjeçar, Gioacchino Gammino, 61 vjeç, u gjet në Galapagar, Spanjë, ku jetonte me një emër të rremë.
Një fotografi e pamjes së rrugës në Google Maps ku shfaqej një burrë që dukej si ai përpara një dyqani frutash ishte shtysa për nxitjen e një hetimi më të thellë.
“Fotoja na ndihmoi të konfirmonim hetimin që po zhvillonim në mënyra tradicionale,” tha Nicola Altiero, zëvendësdrejtor i njësisë italiane antimafia, raporton Reuters.
Gammino, anëtar i një grupi mafioz siçilian të njohur si Stidda, u arratis nga burgu i Romës, Rebibbia, në vitin 2002 dhe në vitin 2003 u dënua me burgim të përjetshëm për një vrasje të kryer vite më parë.
Altiero shtoi se Gammino është aktualisht në paraburgim në Spanjë dhe shpresojnë ta zhvendosin në Itali deri në fund të shkurtit.