Pas 25 vitesh, serbët do ta paguajnë rrymën, Indeksonline raporton nga veriu – qytetarët s’kundërshtojnë vendimin

Rreth 25 vite janë dashur që serbët në veri të vendit të inkuadrohen në faturimin e energjisë elektrike njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës.
Indeksonline ka qëndruar sot në veri, ku ka parë nga afër nëse banorët kanë marrë faturat mbi shpenzimet e tyre energjetike.
Përveç se ekipi i Indeksonline nuk kanë hasur në fatura në asnjë njehsor, disa banorë kanë deklaruar se nuk kanë fatura akoma, por që janë lexuar njehsorët.
Burime të Indeksonline kanë bërë të ditur se KEDS-i ka kontraktuar kompaninë “Elektro-Server” për të bërë matjen dhe më pas shpërndarjen e faturave të energjisë së shpenzuar nga fillimi i vitit, për katër komunat veriore, bazuar në marrëveshjen e Brukselit.
Indeksonline ka biseduar edhe me njërin nga figurat e Listës Serbe, Igor Simiq, i cili refuzoi të flasë përpara kamerës por që pranoi se ka nisur zbatimi i këtij vendimi.
“Jam njoftuar nga mediat se ka filluar faturimi. Më shumë nuk di dhe nuk mund të flas” tha ai.
Llogaritet se në veri të vendit janë mbi 20 mijë konsumatorë të energjisë elektrike, nga paslufta e deri më sot.
Ndiqni më poshtë materialin e përgatitur nga Indeksonline.