75 Mall Live Search
20:55 / E Enjte, 11 Shkurt 2021 / AR

Pas 35 vitesh, gazetari rom kthehet nga Holanda për të kandiduar për deputet në Kosovë

Gazetari rom nga Prizreni, njëherësh aktivisti për të drejtat e romëve në Holandë, Orhan Galjus, pas 35 viteve është kthyer në Kosovë për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në një intervistë për Indeksonline, Galjus foli më shumë rreth vetes si dhe atë që synon të bëjë përmes ulëses së deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Ai vjen nga partia Kosovaki Nevi Romani Partia (KNRP) e cila mban numrin 126, kryetar i së cilës është Jollxhi Shala. Përndyshe kjo parti është përfaqësuar me deputetin e saj, Kujtim Paqaku, në legjislaturën e pestë.

Galjus i cili në këto zgjedhje mban numrin 1, thotë se erdhi në Kosovë sepse ndjeu nevojën për të sjellë diçka moderne në polikë dhe të kontribuojë që komuniteti rom të marrë pjesë në proceset vendimarrëse.

“Kam vendos të kandidoj për deputet sepse këto 15 vitet e fundit, romët nuk kanë marrë pjesë shumë në proceset e demokracisë në Kosovë. Komuniteti rom duhet të marrë pjesë në politikën vendimarrëse. Ata duhet të japin kontribut në shoqërinë e Kosovës.

Komuniteti rom nuk ka informata se çka është politika në Kosovë. Ai komunitet nuk është eduku që ata munden me kontribu me programet, me planet e tyre.

Erdha në Kosovë sepse ndjeva që është një nevojë me sjell diçka moderne në politikë dhe me sjell njëfarë rrugë për procesin që romët si e di unë, një përqindje e madhe e romëve nuk janë të punësuar. Kur një njeri nuk ka punë, nuk ka ushqim e elemente të tjera”, u shpreh ai për Indeksonline.

Tutje ai tha se do të luftojë për një Kosovë të Evropës, pasi që mes tyre ka vend edhe për minoritetet.

“Ne do të luftojmë për një Kosovë të Evropës. Vlerat e Kosovës duhet të përqafojnë vlerat e Evropës dhe vlerat e Evropës të përqafojnë Kosovën. Kur ka rrugë nga Kosova për në Evropë atëherë ka edhe vend për minoritetet e Kosovës. Partia jonë do të luftojë për një harmoni në Kosovë”.

Galjus aktualisht është drejtor i Radio Patrin në Amsterdam, pra radio për romët në botë./Indeksonline/