75 Mall Live Search
09:42 / E Mërkurë, 21 Dhjetor 2022 / S Z

Pas 87 vitesh vjen në atdhe “Familja Curri”

Me iniciativën dhe nën përkujdesjen redaktoriale të Ilir Hajdarit, këto ditë Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ka botuar veprën monumentale të Niman Ferizit “Familja Curri”. 

 Në parathënien e kësaj vepre, Ilir Hajdari ka shkruar:

 “Emrin e Niman Ferizit e kam mësuar për herë të parë në një kohë dhe rrethanë të ndalur, atëherë kur ndalohej çdo gjë shqiptare në Kosovë.

Kjo monografi më kthen në atë kohë dhe vjen me tërë fuqinë e ndjeshmërisë së asaj kohe prej ndalese, kur po bëheshin përgatitjet për t’ua dhënë goditjen e fundit atyre që i kishin ndaluar ardhjet e kohëve të dritës për Niman Ferizin. Një ndalesë e tillë ishte bërë edhe për veprën “Familja Curri”. Çdo kund hije e ndalesë për Niman Ferizin. Ndalesë jete, ndalesë vepre, ndalesë e përmbushjes së amanetit – kthimin e eshtrave në atdhe. Kjo ndalesë kishte një shpjegim para ‘99-tës, ku, thënë më but, për shkak të rrethanave duhej heshtur që të kuptohej e rëndësishmja si e pa rëndësishme për ata që ishin përpjekur të ndalonin çdo gjë të rëndësishme shqiptare.

Por, sot, kujt i duhet kjo ndalesë?

Gjatë fillimit të viteve të ’90-ta, kur ra perdja komuniste në Shqipëri, një vepër arriti ta kalonte kufirin, ilegalisht. “Bajram Curri” i shkrimtarit të madh Skënder Drini erdhi prej andej kufirit dhe më njohu për herë të parë me Niman Ferizin dhe veprën e ti monumentale “Familja Curri”, të cilën e kishte shkruar në Zarë të Dalmacisë më 1935 dhe botuar po atë vit në shtypshkronjën “Albania”, në Konstancë të Rumanisë. Pra, për këtë monografi që ne po e botojmë sot, për herë të parë në atdheun e Niman Ferizit, pas 87 vitesh.  

Lexuesit, me këtë rast, nuk po i ofrohet një monografi e shkruar nga një historian, i cili hartimin e veprës e ka bazuar në të dhënat e dokumenteve arkivore. “Familja Curri” është përjetim dhe përjetësim i kryesekretarit personal të Bajram Currit. Ajo është monografia e parë që i është kushtuar Plakut të Maleve dhe si e tillë mbetet monumenti i parë prej shkronjash për Bajram Currin dhe referencë e përgjithmonshme e historisë”.