18:49 / E Premte, 19 Tetor 2018 / indeksADMonline

Pas afër një dekade, arrihet marrëveshja për bashkimin e komunitetit të Taekwondo-së në Kosovë

Pas disa takimeve me radhë nga klubet e komunitetit të Taekwondo-së, tashmë është arritur marrëveshja për zhbllokimin e ngërçit në këtë sport.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Këshillit Inicues, Enis Qafleshi, i cili ka edhe një kërkesë nga KOK-u dhe MKRS-ja, transmeton IndeksOnline.

Ky është njoftimi i plotë:

Sot, pas disa takimeve me të gjitha klubet aktive të komunitetit të Taekwondo-së në Kosovë, kemi arritur një marrëveshje te përbashkët, me synim zhbllokimin e ngërqit të krijuar tash e gati një dekadë për shkak të ndarjes së klubeve në dy tabore udhëheqëse.
Të gjithë përfaqësuesit e klubeve aktive janë tërhequr nga të gjitha pozitat e deritashme deleguese, qoftë edhe si delegatë apo anëtarë të Bordeve Ekzekutive, për t’i hapur dyert një Kuvendi të hapur Zgjedhor.
Me këtë marrëveshje, klubet aktive i përgjigjen ftesës së Komitetit Olimpik të Kosovës për organizim të një Kuvendi te Jashtëzakonshëm Zgjedhor, për të zgjedhur strukturën e re udhëheqëse te Taekwondo-se ne Kosovë.
Ditëve në vijim, Këshilli Inicues i dalë nga vullneti i klubeve do të merret me organizimin e Kuvendit në bashkëpunim me institucionet relevante sportive.
Me këtë rast, ftojmë Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, që të marrin pjesë në Këshillin Inicues dhe në Kuvendin Zgjedhor me nga një përfaqësues, në mënyrë që ky Kuvend të organizohet në përputhje me statutin e Federatës së Taekwondo-së, statutin e KOK-ut dhe Ligjin për Sport.
Data e mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor do të caktohet shumë shpejtë.

Me respekt,
Enis Qaflleshi, kryesues i Këshillit Inicues”./IndeksOnline/